‘Ping-pongu’ i deklaratave mes Guardiolës dhe Jurgen klop për shpenzimet e klubeve respektive Mancester Siti dhe Liverpul në merkaton e transferimeve është pasqyra më e mirë e asaj që po përjeton futbolli evropian i viteve të fundit. Në fakt gara se cili klub i Kontinentit të Vjetër po shpenzon më shumë për blerje futbollistësh apo kush fiton më shumë duke shpenzuar sa më pak, është bërë shumë e ethshme.
Por sido që të analizosh këtë situatë, duket qartë se po jetojmë në një periudhë ku në merkaton e transferimeve janë në lojë shuma gjithnjë e më të mëdha parash dhe këtu përfshihen edhe komisionet që shkojnë në favor të agjentëe të lojtarëve. Nga të dhënat e publikuara nga Transfermarkt, në Angli, merkato e transferimeve mbyllet ne 8 gusht dhe cudia qëndron se skuadra që ka bërë më shumë shpenzime është Aston Villa, që këtë sezon është ngjitur në Premier League. Aston Villa është në fakt në vendin e pestë me rreth 150 milionë Euro të investuara.
Padyshim diktatin në këtë pikë e kanë vënë ekipet spanjolle; Real Madrid, Atletiko Madrid dhe Barcelona. Skuadra merenges është në krye me 303 milionë Euro, Atletiko është në vendin e dytë me 299.5 milionë, ndërsa Barcelona është e treta me 262 milionë Euro të shpezuara. Pas gjigandëve spanjollë vjen Juventusi, ndërkohë që në dhjetëshen e ekipeve që kanë shpenzuar më shumë janë edhe Borusia Dortmund, Sevija, Bajern Mynih, Arsenal dhe Inter.
E vecanta në këtë pikë është se nga këto 10 klube vetëm Atletiko rezulton me diferencë pozitive mes shitjeve dhe blerjeve, ndërsa Reali i Madridit është ai që ka diferencën negative më të madhe me 188 milionë Euro. Por ky bilanc mund të skuqet akoma më shumë për Los Blancos nëse konkretizohen blerjet e Pol Pogba që vlerësohet 160 milionë Euro apo Van De Bek.
sfidanti.al