Nuk ia doli vetëm në pengesën e fundit, kur u desh të gjuheshin penalltitë. Shkëndija e Tetovës, skuadra-flamur e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, doli me kokën lart nga Liga e Konferencës duke u mundur pas 11-metërshave nga AIK-u i Suedisë. Një arritje e rëndësishme për ekipin e drejtuar nga trajneri Artim Shaqiri, i cili në Shqipëri nuk pati ndonjë vlerësim të madh te Kukësi. Kuqezinjtë patën paraqitje vërtet në nivel të lartë këtë verë, pasi në raundin e parë eliminuan Araratin e Jerevanit nga Armenia me rezultat të përgjithshëm 4-2 (2-0, 2-2), ndërsa në turin e dytë mposhtën Valmierën e Letonisë 5-2 (2-1, 3-1). Në raundin e tretë, ndaj AIK-ut të Solnës, u arritën 2 barazime 1-1 dhe që të dy golat për tetovarët i shënoi Ferhan Hasani, edhe pse nuk mjaftuan.
Sfidanti.al