“Turpërimi nuk mjafton”; mediat italiane sulmojnë Juven pas disfatës!

Pritet edhe Interi, veçse mbrëmja e parë e mesjavës ishte një dramë. Italianët pësuan një dështim të vërtetë në Champions me dy ekipet kryesore, Juventusin e Milanin, që humbën dhe që rrezikojnë një katastrofë më të madhe. “Zonja e Vjetër” pësoi një humbje të pamendueshme 0-2 në Izrael ndaj Makabit të Haifës, e treta në 4 ndeshje dhe është shumë pranë eliminimit. “Juve, nokaut në Haifë, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Anjeli është një stuhi: Duhet të na vijë turp, por Alegri mbetet!” Gjithsesi, “Tutosporti” i Torinos që është edhe tifoz juventin, kërkon më shumë: Turpërimi nuk mjafton! Me Makabin humbëm edhe nderin!”

A do të japë dorëheqjen trajneri Alegri? “Vendimi është marrë, – ishte përgjigja, – që këtë të mërkurë do të jemi në grumbullim, në izolim, deri në ndeshjen ndaj Torinos. Pjesa e parë ishte e papranueshme, duhej të kishim respektuar klubin dhe tifozët. Duhet të mbledhim mendjen dhe forcat. Duhet të jemi sërish një skuadër, dhe duhet të fillojmë kthesën që në ndeshjen me Torinon”.

Se çfarë mendon klubi e thotë presidenti Andrea Anjeli. “Ky është momenti për të marrë përgjegjësi mbi vete, – deklaroi ai, – unë jam këtu për këtë. Gjithsesi, më vjen turp për këtë që po ndodh. Jam shumë i zemëruar, por jam edhe i ndërgjegjshëm se futbolli është sport skuadre, fitohet dhe humbet bashkë. Llogaritë bëhen në fund të sezonit. Nuk është çështje e një njeriu të vetëm”.

Sfidanti.al