Tare i përgjigjet Murinjos, por nuk i thotë se ekipet e portugezit ishin shpesh “të vegjël”!

Të akuzosh Mauricio Sarrin se një skuadër e drejtuar prej tij është e vogël (si mënyrë loje), është diçka e tepruar. Për më tepër kur e bën Zhoze Murinjo. Trajneri portugez sulmoi kolegun e tij italian pas derbit që Roma e humbi 2-3 ndaj Lacios, ndonëse luajti më mirë, ndërsa sulmoi edhe arbitrin e VAR-in. Igli Tare, drejtori sportiv lacial, iu përgjigj në emër të bardhekaltërve, duke thënë se “Murinjo duhet të mësojë të humbasë”, e duke shtuar se “arbitrimi dhe VAR-i më tepër dëmtuan Lacion sesa Romën”.

Gjithsesi, Tare nuk i përmendi Murinjos faktin se skuadrat e drejtuara prej tij shpesh silleshin sikur ishin të vogla, siç ndodhi kur Interi eleminoi Barcelonën në Champions në 2010 duke vendosur “autobusin” në portë në “Kamp Nou”, apo kur mundi Bajernin në finalen e atij viti 2-0, ndonëse bavarezët e Va Galit mbajtën topin mbi 70 për qind. Me përjashtim të Realit të Madridit, që kishte skuadër me superyje sulmues, Murinjo në përgjithësi ka qenë trajner pragmatist, nga ata që meritojnë të quhen drejtues të skuadrave të vogla.

Sfidanti.al