Strakosha dhe Lacio pa fat me arbitrin, Torino bën “namin”!

Stadiumi “Olimpiko” i Romës, si stadiumi “Olimpiko” i Torinos. Është skuadra “granata” që triumfon në kryeqytet dhe Lacio e Tomas Strakoshës që mposhtet, por me një ndihmë të madhe edhe nga gjyqtari. Në minutën e fundit të pjesës së parë, pas krosimit të Imobiles, Iago prek topin me dorë, por arbitri Xhakomeli lë lojën të vazhdojë. Në atë aksion, Imobile godet shtyllën dhe pastaj bie pre e provokimit të Burdisos duke e goditur me kokë e duke marrë karton të kuq.

Lacio pretendoi penallti, por mori përjashtimin. U konsultua VAR dhe u vendos kështu. Në pjesën e dytë, Berenger dhe Rinkon shënuan në portën e Strakoshës, vendasit shkurtuan diferencën me anë të Luis Albertos, por Edera vulosi shifrat 1-3 për Torinon e Mihajloviçit që ngjitet në vendin e 8-të, fare pranë Milanit. Lacio, ndërkaq, mbetet më prapa kreut, plot 8 pikë, edhe pse ka një ndeshje më pak të luajtur.

Sfidanti.al