Shtëpi, e ëmbla shtëpi! Bufon kthehet tek Parma pas 20 vjetësh!

Nuk deshi të largohej shumë nga atdheu i tij, e ndoshta në moshën 43-vjeçare nuk kishte nerva që ta bënte. Xhanluixhi Bufon i ka provuar të gjitha në karrierë, plus që me vitet që ka mbi shpinë nuk mund të pretendojë të jetë protagonist tek ndonjë Real, Barcelonë, Mançester Junajtid, Bajern apo Paris SG. Pasi i mendoi të gjitha, portieri legjendar italian vendosi që bashkë me largimit nga Juventusi, të bënte edhe rikthimin në shtëpi. Do të thotë, tek Parma për të cilën luajti në fillim të karrierës në vitet 1995-2001 duke fituar edhe 3 trofe, përpara sesa të kalonte tek “Zonja e Vjetër” për rekordin e transferimeve të një portieri. Vetë veterani e lajmëroi vendimin që kishte marrë, dhe shpreson të japë kontribut në Serinë B, madje të ndihmojë ekipin që të kthehet në Serinë A. Kjo do të ishte baraz me një titull me Juven. Bufon ka thyer rekordin e ndeshjeve në elitën italiane, që më parë e mbante Maldini.

Sfidanti.al