Një mëkat, por mosha i ka këto gjëra. Në barin e Londrës nuk do të jetë një nga tenistët më të mëdhenj të historisë, 20 herë fituesi i Grand Slemeve, Rafael Nadal. Kampioni spanjoll deklaroi se nuk do të konkurrojë në Uimbëlldon dhe po ashtu nuk do të marrë pjesë në Lojrat Olimpike, duke u përqëndruar tek turneu i fundit Grand Slem i vitit, US Open. “Dëgjova trupin tim, – tha spanjolli, – dhe ai më tha se nuk mund ta përballojë këtë ngarkesë”. Në moshën 35-vjeçare, Rafa e tregoi lëkundjen e tij edhe në “Rolan Garos”, në Grand Slemin që ka qenë gjithnjë “oborri i prapmë i shtëpisë së tij”, dhe ku ai ka fituar 13 herë. Këtë radhë u mund në gjysmëfinale nga Novak Gjokoviç, humbja e tij e tretë në 17 vjet. Tërheqja e Nadalit do të thotë se Rozher Federer, do të ketë një rival më pak në përpjekjen për të thyer rekordin botëror të Grand Slemeve për të arritur në 21, por ndoshta më shumë ndihmon Gjokoviçin që të barazohet me të dy, sepse tani ka 19.
Sfidanti.al