Ramos-Real, ndarja mes lotëve e kapitenit me klubin më të madh të botës

Momente të tilla ndikojnë për të shëruar plagë edhe më të mëdha. Sergio Ramos dhe Reali i Madridit po largoheshin nga njëri-tjetri pa thënë “lamtumirë” ose “mirupafshim”, por konferenca e shtypit e organizuar nga klubi për nder të kapitenit, i “shkriu akujt”. Ramosi u përlot ndërsa foli në podium, dhe presidenti Florentino Perez e vlerësoi si legjendë të madridizmit, që do të mbahet mend gjithmonë si simboli i “La Decima”-s, fitores së 10-të në Champions, kur mbrojtësi i qendrës shënoi golin e barazimit në minutën e 93-të duke shpëtuar Realin. Futbollisti 35-vjeçar nuk e mbajti dot veten ndërsa pati përballë gruan e fëmijët, në një kohë që shokët e ekipit e uruan dhe e përshëndetën, duke e vlerësuar si kapitenin e tyre, si vëllanë e madh. Ramosi i la të hapura mundësitë e karrierës, duke thënë se do të fitojë sërish tek Paris SG apo kudo që të shkojë, ndërsa do të kthehet një ditë tek Reali, klubi që mbetet në zemrën e tij.

Sfidanti.al