Gjithçka po ndodh shpejt, siç edhe pritej. Thuajse menjëherë me inkuadrimin e Matijs De Ligtit me shokët në stërvitje, Juventusi udhëtoi për turneun e verës, përgatitja më e mirë për sezonin e ri, si dhe një shërbim i detyruar ndaj marketingut, dhe biznesit të klubit në përgjithësi.
Me De Ligtin, Ronaldon, Kielinin, Bufonin, Pjaniçin, Higuainin, e yjet e tjerë, kampionët e Italisë janë impresionues, ndonëse e humbën miqësoren e parë. Totenhemi, nënkampion i Europës, i mundi 3-2 në Stadiumin Kombëtar në Singapor, pas një përballjeje me mjaft emocione. Anglezët, në formë shumë më të mirë fizike, kaluan të parën në epërsi me anë të argjentinasit Erik Lamela, ndonëse më pas Juventusi reagoi.
Higuain dhe Ronaldo përmbysën shifrat, edhe pse italianëve nuk u mjaftoi energjia deri në fund. Talenti i ardhur nga Franca, Ndombele, shërbeu Lukas Mourën për golin e barazimit 2-2, ndërsa spektakli arriti një kulm kur Harri Kejni vulosi fatin e ndeshjes. Kapiteni i kombëtares angleze realizoi nga mesi i fushës, me një nga golat më të bukur në karrierë.
Pavarësisht humbjes, trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, nuk u shpreh i mërzitur, ndërsa foli për transferimet dhe Ronaldon. “Natyrisht, Totenhemi ishte më mirë fizikisht se ne, sepse Premier Liga nis më shpejt, – tha ai, – duhet të përmirësohemi, sidomos për të bërë më shumë presion përpara. Në pjesën e dytë ishim shumë më mirë, dhe do të jemi edhe më mirë kur të gjejmë formën e duhur fizike, dhe kur të na kthehen të dëmtuarit. Ronaldo është niveli më i lartë i mundshëm, ndërsa 10 lojtarët e tjerë duhet edhe të mbrojnë”.
Sari kërkon nga klubi që të largojë disa lojtarë, pasi thekson se ka më shumë sesa duhet, gjë që mund të krijojë probleme.
Edhe trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino, nuk u ndje aspak keq. “Jam i kënaqur me fitoren, edhe pse mund të kishim luajtur më mirë, – tha argjentinasi, – bëmë gabime në lojën në mbrojtje, por kemi ende kohë për të qenë në formën e duhur. Jam i lumtur për Harri Kejnin dhe golin e pabesueshëm që shënoi. Po ashtu, jam shumë i kënaqur nga Ndombele, edhe pse është ende i ri dhe nuk duhet ta vendosim nën presion. Nuk di të them nëse klubi po bisedon për kthimin e Bejlit nga Reali”.
Duket e vështirë, gjithsesi, që Bejl të bëhet sërish pjesë e Totenhemit, ndërsa Poçetino synon që skuadra e tij të luftojë këtë sezon edhe për titullin në Premier Ligë, por edhe për Championsin.
Sfidanti.al