Alafilip nuk është Edi Merksi, ka shpresë për Fanelën e Verdhë në Tur!

Ishin ngjitjet e fundit në këto malore të ashpra, një sfidë e vërtetë. Maloret e thepisura të Pirenejve dhanë emocione të forta ndërsa Turi i Francës mbylli sezonin në vargmalin e famshëm në kufi me Spanjën, për t’iu drejtuar më pas Alpeve. Gara supreme e çiklizmit në rruzull mori edhe një mesazh, atë që asgjë nuk është mbyllur për fituesin në shëtitoren e Shamps Elizesë në Paris.

Nëse Zhylian Alafilip ishte treguar i palëkundur në fushore, kronometër dhe në etapat malore deri në ditën e 14-të, u desh itinerari i 15-të që të tregonte se edhe ai mund të mposhtej. Sinjalin e sulmit të rivalëve e dha Mikel Landa që pedaloi fort në maloren e parafundit, në Murin e fortë të Pezheres. Pasi Fanela e Verdhë përballoi goditjen e parë, ja ku erdhi e dyta, nga patrioti i tij francez, Pino, pretendent për fitoren finale.

Ai kaloi në sulm, dhe u ndoq nga Alafilip, Buhman e Bernal, por edhe britaniku Tomas nuk mbeti shumë prapa. Pas kilometrave të fundit, fitues doli anglezi Sajmën Jejts (në foto), që nuk ka shpresë për sukses, i ndjekur nga Pino, Landa, Buhman, Bernal e Tomas. Alafilip mbërriti vetëm i 11-të, por e ruajti Fanelën e Verdhë, ndonëse me epërsi të shkurtuar ndaj Tomasit, tashmë në 1’35”. Pas një dite pushim, Turi i Francës do të ketë dy etapa fushore shlodhëse, dhe që nga e enjtja deri të shtunën, vjen prova përfundimtare në Alpet e Europës.

Sfidanti.al