Janë larg kohët kur Roma sillte mesatarisht 64 000 tifozë në stadium dhe Lacio, 52 000. Jemi në vitet kur “Olimpiko” është sukses edhe kur në impiantin e kryeqytetit këndojnë 40 000 “shpirtëra”. Gjithsesi, ardhja aty e Kristiano Ronaldos, për herë parë si lojtar i Serisë A, po bën që “ethet” të rriten si dikur. Nuk pritet të ketë 80 000, siç ka qenë kapaciteti i kahershëm, ndoshta as 70 000 sa është kapaciteti sot, por nga Lacio mësohet se në stadium mund të ketë ndoshta 55 000 spektatorë.
Rreth 2 milionë euro të ardhura nga biletat nuk janë gjë e vogël, madje “La Gazeta delo Sporti” përdor shprehjen tepër entuziazte “i mbushur plotësisht”. Kryendeshja e javës së ardhshme do të jetë të dielën në mbrëmje, në një orar shumë të mirë, dhe që tani janë të garantuar mbi 40 000 njerëz, prej të cilëve 20 000 të abonuar. Ka ende një javë kohë për të parë Lacio-Juve, dhe për të ndjekur Kristiano Ronaldon.
Sfidanti.al