I fortë, pa pretendime dhe i lirë, Boateng ishte “goli” i Barçës

Kevin Prins Boateng ishte ndoshta një nga emrat e fundit që mund t’i vinte ndërmend dikujt si përforcim i Barcelonës. Gjithsesi, ky transferim i pamenduar ndodhi, dhe sulmuesi ganez mbërriti në “Kamp Nou” duke lëshuar frazën që pritej prej tij: “Shpresoj të shënoj ndaj Realit”. Për momentin, “golin” e ka realizuar klubi katalanas.

Boateng vjen i huazuar, pra pa asnjë shpenzim përveç rrogës, ndërsa nëse trajneri Valverde do ta pëlqejë, mund ta mbajë për 8 milionë euro. Lojtari 31-vjeçar luajti fazën e parë për Sasuolon, pra rroga e tij nuk besohet të jetë shumë e lartë, një faktor i rëndësishëm për klubin që ka borderonë më të lartë të pagave në Europë.

Jo vetëm kaq, por Boatengu nuk do të ketë as pretendime të shumta, pasi kalimi nga Sasuolo tek Barcelona është suksesi më i madh në vetvete. Valverde e donte për të mbushur boshësinë e lënë nga ikja e Munir El Hadadit, dhe natyrisht pritet të mos e aktivizojë shumë. Mesi, Suarez apo Dembele janë të pazëvendësueshëm për të.

Me afrimin e Boatengut, forcohet tendenca e Barçës për t’iu larguar disi filozofisë së “La Masisë” së deritanishme. Sulmuesi ganez dhe Arturo Vidal kanë shtuar “muskuj” në skuadër, më shumë sesa klas.

Sfidanti.al