Paulo Dibala duket se nuk do të shkojë as në Spanjë dhe as në Angli, të paktën për momentin. Ndonëse klube të mëdhenj si Reali i Madridit, Mançester Junajtid apo Çelsi interesoheshin (dhe ende interesohen) për të, sërish argjentinasi duket se po arrin një marrëveshje të re me Juventusin. Sulmuesi shumë i talentuar 23-vjeçar ka pohuar se është pranë rinovimit me kampionët e Italisë, diçka që tifozët bardhezinj e kërkojnë me këmbëngulje nga klubi.
“Ne jemi shumë pranë një kontrate të re, – tha Dibala për “Skaj Sportsin”, – mungon shumë pak që gjithçka të përfundojë, dhe agjenti im do të vijë në Itali për të folur me (Xhuzepe) Marotën. Gjithsesi, vullneti ynë është që të vazhdojmë tek Juventusi”. Vetë drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Marota, i qetësoi tifozët javën e kaluar duke thënë se “nuk ka arsye që të shqetësoheni për Dibalën”. Talenti argjentinas ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 8 asistë deri tani në këtë sezon.
Sfidanti.al