Dris Mertens shpesh krahasohet me Maradonën, dhe ndoshta në Napolin e sotëm ai i afrohet më shumë se të gjithë legjendës argjentinase. Belgu i mrekullueshëm udhëhoqi ekipin e Mauricio Sarrit në misionin për t’u rikthyer në krye të Serisë A, pasi pozicioni “iu uzurpua” nga Interi një mbrëmje më parë. Mertens ia doli duke shënuar dy gola, dhe duke qenë ai autori real i golit të tretë, edhe pse u quajt autogol. Napoli fitoi 3-2 në një fushë të vështirë si ajo e Xhenoas, në stadiumin “Luixhi Ferraris” të Gjenovës, duke pasur tani 28 pikë ndaj 26 të Interit.
Elseid Hysaj ishte si përherë aty, i përhershëm që nga minuta e parë e deri në fund, dhe duke iu afruar golit me një gjuajtje të larguar nga portieri vendas.
Nëse Napoli e mbajti kreun edhe pas javës së 10-të, rivalët nuk gabuan. Juventusi dhe Lacio fituan, madje sukses pati edhe për Romën, që nuk është shumë larg. Kampionët kaluan Spalin modest, 4-1, me golat e shënuar nga autorë të ndryshëm. Bernardeski, Dibala, Kuadrado dhe Higuain (në pozicion jashtë loje), ndaj një ngushtimi rezultati në 1-2 nga Paloski.
Lacio nuk e pati këtë herë ndihmën e Imobiles të paktën tek goli, madje sulmuesi humbi penallti ndaj Bolonjës. Rrjetat u realizuan nga Milinkoviç-Saviç dhe Luliç, ndërsa Luliç shkaktoi edhe autogol në portën e tij. Skuadra tjetër e kryeqytetit, Roma, u mjaftua me një gol të Diego Perotit me penallti që në 10’ ndaj Krotones, ndërsa Milani më në fund u kthye tek fitorja, 4-1 ndaj Kievos në Veronë. Suso, autogol i Cesarit, Çalhanoglu dhe Kaliniç ishin ata që dërguan topin në rrjetë.
Pas 10 javësh, Napoli ka 28 pikë (me 29 gola të shënuar), Interi 26 (20 gola), Juventus 25 (31 gola) dhe Lacio po 25 (26 gola). Roma është në kuotën 21, por me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al