Nuk dëshiron të mendojë për titullin, por për atë që ka bërë ekipi i tij. Stefano Pioli mendon se pjesa e mbetur e sezonit duhet përballuar pa e vendosur veten nën presion dhe pa bërë llogari, por vetëm duke pasur besim. “Eleminimi nga Mançester Junajtidi na ka bërë edhe më të ndërgjegjshëm për forcon tonë, edhe pse jemi shumë të hidhëruar për mënyrën sesi shkuan punët, – thotë ai, – do të bëjmë një finale të madhe të sezonit. Sot jemi të vendosur për të reaguar. Nuk dua të flas për titullin, por që të luajmë mirë dhe të fitojmë 11 ndeshjet që na mbeten në Serinë A. Më pëlqeu që Ibrahimoviç deklaroi që duhet ta fitojmë titullin, nuk mund të thoshte gjë tjetër, por le t’i marrim ndeshjet me radhë. Gjithsesi, diçka na ka ikur nga dora”. Së pari luhet ndaj Fiorentinës në Firence, dhe lajmi i mirë është që Zllatani do të jetë titullar. “Do të luajë që nga minuta e parë, – tha Pioli, – nuk e di sesa minuta mund të mbajë, por për ne është tepër i rëndësishëm. Në Europë bëri provën gjenerale dhe doli mirë”. Milani ka 56 pikë në Serinë A, 9 pikë më pak sesa Interi dhe fitorja e titullit duket tepër e vështirë.
Sfidanti.al