Përse Spaleti nuk e la Totin t’i thoshte lamtumirë “San Siros”?

Luçiano Spaleti u gjend përballë kritikave të shumta, të bëra nga tifozët e vërtetë dhe një pjesë e madhe të medias italiane, dhe shkak është kokëfortësia që ai tregoi, duke mos e futur në lojë ikonën e Romës, Françesko Toti, të paktën, edhe pesë minuta në ndeshjen e fundit, në “San Siro”, mes Milanit dhe Romës, për më tepër që rezulati i saj, pak a shumë, ishte vendosur. Megjithëse Roma kishte një epërsi të sigurt në fund të ndeshjes, Spaleti nuk i dha shans Totit që ai t’u thoshte me dinjitet  lamtumirë tifozëve në një stadium të madh e të veçantë, sikurse është i tillë “San Siro”, duke ngjallur, kështu, një valë kritikash të ashpra, qysh në konferencën e shtypit që ai dha mbas ndeshjes.

Sidoqoftë, Spaleti iu përgjigj, në mënyrë agresive, pyetjes së përse ai nuk e futi në lojë Totin: “Po ta fusja që të luante pesë minuta, ju, si gjithnjë, do të thoshnit se unë nuk e respektoj atë, por, edhe kur e bëj këtë, ju, gjithnjë, do të gjeni ndonjë gjë që të më kritikoni. E gjithë kjo që ju bëni, më zhgënjen së tepërmi. Nëse do të kisha mundësi që ta ktheja kohën mbrapsht, asnjëherë, nuk do të isha kthyer te Roma. Toti është shumë, shumë i madh, por ky ekip meriton lavdërime. Ju thoni se unë nuk e respektoj legjendën, se ajo që bëj unë, është gabim. Unë bëj atë që mendoj se është e drejtë për ekipin”, theksoi Spaleti mbas fitores së Romës 4-1 në “San Siro”.

Sfidanti.al