Po të thoje, para 16 vitesh, më 2001, kur Spartaku i Moskës u shpall kampion i Rusisë për herë të fundit, se do të duhej që të kalonin 16 vite që ai të shpallej përsëri kampion, askush nuk do të besonte, pasi kaq i madh është emri i këtij ekipi ose klubi në Rusi. Por, ja që kështu ndodhi. Spartaku u bë para kohe kampion i Rusisë, pasi Zeniti i Peterburgut pësoi, papritur, në “Sankt-Peterburg Arena”, pra, në fushën e vet, një humbje 0-1 nga Tereku i Groznit në raundin e 27-të të kampionatit rus. Kështu, as Zeniti (52 pikë) dhe as CSKA-ja e Moskës (53), me pikët që kanë, nuk do të mund ta arrijnë më Spartakun që ka 63 pikë, deri në fund të Premier Ligës ruse.
Në këtë mënyrë, tre raunde para përfundimit të kampionatit, ekipi kuqebardhë i ka siguruar vetes triumfin për herë të 10-të si kampion i Rusisë. Një numër i madh tifozësh entuziaztë të Spartakut u mblodh pranë stadiumit “Otkritije Areni” për të festuar fitoren e madhe dhe, para tyre, përshëndetën kapiteni i ekipit moskovit, veterani Denis Gllushakov, dhe portieri Artjom Rebrov.
Sfidanti.al