Perishiç kritikon Kroacinë për Pjacën, FIFA paguan 1 milionë!

Dëmtimi i Marko Pjacës u prit shumë keq nga Kroacia dhe nga Juventusi. Mesfushori ofensiv i kampionëve të Italisë pësoi një lëndim të rëndë në miqësoren që kombëtarja kroate humbi 0-3 në fushën  e Estonisë dhe nuk do të luajë më, këtë sezon. Mesfushori kroat i Interit, Ivan Perishiç, sulmoi organizatorët e miqësores për cilësinë e fushës. “Ishte një terren i padenjë për t’u quajtur fushë futbolli, – tha ai, – kjo ishte diçka kriminale. Nuk mund të ndodhë kështu. E këshilloj zotin (Davor) Shuker (presidentin e Federatës) që të bëjë kujdes kur të zgjedhë kundërshtarët, ndryshe do të humbasim gjithnjë lojtarë në fusha të tilla”.

Juventusi po ashtu mori një goditje të rëndë në prag të përballjeve ndaj Barcelonës në Champions, pasi Pjaca cilësohet si një nga lojtarët e rëndësishëm pavarësisht moshës së re. Gjithsesi, në bazë të rregullave, Juventusi do të heqë nga vetja një detyrim prej 1 milionë eurosh. Kaq është rroga që kampionia e Italisë i detyrohet kroatit dhe këtë rrogë do ta paguajë FIFA.

Sfidanti.al