Barcelona, me të vërtetë, ia “vodhi” Romës para hundës, në momentin e fundit, futbollistin Malkolm. Ky brazilian 21-vjeçar, praktikisht, u bë lojtar i ri i Romës, madje, atij i kishin prerë edhe biletën që të fluturonte për në Romë, kur doli Barcelona me një ofertë më të mirë, duke e marrë dhe duke e sjellë këtë futbollist të talentuar në “Kamp Nou”, por duke e zemëruar në maksimum të gjithë klubin e Romës, sidomos, njeriun nr.1 të tij, Xhejms Palota.
“Ajo që bëri Barcelona, nuk është etike. Ne kemi marrë këshilla juridike dhe funksionarë të Bordos do të thirren që të dëshmojnë. Barcelona na kërkoi mbrëmë falje, por ne nuk e pranuam atë falje. Do ta falim atë, vetëm në qoftëse na japin Mesin”, deklaroi Palota, duke “e ulur topin në tokë”, kur tha se Roma, edhe në të ardhmen, do të vazhdojë të bashkëpunojë me Barcelonën. “Sigurisht që ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Sidoqoftë, Barcelona ëshë një klub i madh”, theksoi Palota.
Sfidanti.al