Vendimet natyrisht nuk i marrin tifozët, edhe pse janë të rëndësishëm. Gjithsesi, Diego Armando Maradona është nga ata që mbështetet shumë tek publiku dhe është shprehur se është gati të marrë drejtimin e Napolit nëse shumica e përkrahësve do të ishte dakord. Në një kohë kur po flitet për interesim të klubeve të tjera për Mauricio Sarrin, Maradona u pyet për mundësinë që ai të ulet në stol.
“A mund ta drejtoj Napolin? Nëse njërëzit më duan, atëherë po, – tha “El Pibe de Oro”, – së pari, duhet të zgjidh problemet që kam në Itali, atëherë mund të punoj për Napolin, në Itali dhe në botë”. Më tej, Diego theksoi se “duhet t’i bëjmë gjërat mirë sepse unë do të doja një skuadër të fortë që të luftonte barabar me Juventusin, Interin, Milanin apo Romën”. Problemet për të cilat flet Maradona janë gjyqet për taksat, që shkojnë deri në 40 milionë euro.
Gjithsesi, ish-ylli i Napolit dhe Argjentinës nuk ka pasur sukses si trajner. Ai ka drejtuar tre skuadra si dhe kombëtaren argjentinase, por është detyruar të largohet pa lënë gjurmë.
Sfidanti.al