Sa e vështirë që të krijohet një traditë. Sidomos kur pavarësisht përpjekjeve, financat nuk janë ato që duhen dhe lojtarët largohen në klube gjithsesi më të mëdhenj. Napoli po e provon se nuk është e njëjta gjë të realizojë një sezon të madh dhe ta përsërisë atë edicionin pasardhës. Skuadra e Elseid Hysajt hodhi një tjetër hap fals në Serinë A, duke humbur dy pikë në shtëpi ndaj një kundërshtari me emër modest si Sasuolo.
Përfundoi 1-1 në “San Paolo” me golat e shënuar nga Insinje për napolitanët dhe francezi Defrel për miqtë, që të dy shumë të bukur. Për fatin e keq të Napolit, goli i Sasuolos erdhi 8 minuta para fundit, kur nuk kishin kohë për të reaguar. Ky barazim e lë skuadrën e trajnerit Sarri në vendin e 7-të, me 8 pikë më pak sesa Juventusi kryesues dhe 4 pikë prapa zonës Champions. Lajmi tjetër i keq i kësaj të hëne ishte që Mertens mori karton të verdhë, dhe nuk do të luajë ndaj Interit.