Niko Rosberg arriti një nga sukseset më të vështirë që mund të mendohen në sport. Si djalë i një kampioni, ai provoi gjatë gjithë karrierën një presion jo të zakonshëm për të bërë të paktën atë që kishte bërë i ati i tij, Keke. Me një baba kampion bote në Formula 1 në vitin 1982, Niko duhej të paktën të fitonte një herë, sipas shprehjes “bëmë baba të të ngjaj”. Nëse nuk do t’ia dilte do të kishte qenë një dështim shkatërrues edhe për një finlandez të lindur në Gjermani.
Në moshën 31-vjeçare, pra në moshë të shtyrë sportive, Rosberg ia doli duke mundur “nemesisin” e tij, kampionin e vitit të kaluar, atë që quhej i lindur për t’u bërë kampion, Ljuis Hamiltonin. Piloti biond i Mercedesit mposhti së pari dyshimet në vetvete dhe pastaj rivalin, në një nga triumfet më emocionale në kampionatin botëror të automobilizmit.
Rivaliteti Rosberg-Hamilton ishte i jashtëzakonshëm dhe në të vërtetë ka lindur që kur të dy ishin fëmijë dhe nisën të pilotonin në garat Kart. Ndoshta, kjo spjegon antipatinë e madhe mes tyre, dhe anglezi përveç përgëzimit në pistë për kampionin e ri të botës, nuk u pa më në festën e bërë nga Niko në Abu Dabi. Rosberg e gëzoi titullin në prani të pjesëtarëve të tjerë të skuadrës së Mercedesit, të miqve e shokëve dhe të familjarëve.