Lucas Perez mashtrohet për 340 mijë euro me teknikën “Rip Deal”

Sulmuesi spanjoll Lucas Perez, aktualisht pjesë e Cadiz dhe me të kaluar te Arsenal dhe Deportivo La Coruna ndër të tjera, është mashtruar për 340 mijë euro me teknikën e quajtur “Rip Deal”. Bëhet fjalë për një metodë kriminale që nuk përdor dhunë, por bazohet te shkathtësia: konsiston në zëvendësimin e parave të vërteta – të treguara personit të mashtruar si pagesë për mallrat e blera prej tij – me para false.

Futbollisti 37-vjeçar galician iu drejtua forcave të rendit duke shpjeguar se disa kohë më parë kishte publikuar një njoftim për shitjen e makinës së tij dhe disa objekteve luksoze që zotëronte. Pasi përzgjodhi përgjigjet e marra, Perez pranoi shitjen e sendeve në fjalë, duke organizuar një takim me personat e interesuar për të diskutuar kushtet e transaksionit.

Takimi shkoi mirë, madje u arrit marrëveshja për pagesë në cash dhe u caktua një takim i dytë për të mbyllur marrëveshjen. Gjithçka shkoi sipas planit: gjatë takimit të dytë u bë pagesa e dakordësuar dhe u dorëzuan mallrat e shitura, mes të cilave një Lamborghini, katër orë luksoze, tre unaza ari me diamante dhe nëntë veshje të shtrenjta. Shuma e saktë që mori (ose mendonte se kishte marrë…) Perez ishte 340 mijë euro, nga të cilat 180 mijë për objektet me vlerë dhe 160 mijë si parapagim për automjetin.