Një mbrëmje fantazmash për Interin në “San Paolo”, por edhe për Elseid Hysajn në pjesën e dytë. Napoli fitoi 3-0 ndaj zikaltërve dhe hodhi sërish kandidaturën të paktën për të shkuar në Champions, ndërsa mbrojtësi i Shqipërisë doli nga loja i dëmtuar. Ende nuk dihet shkalla e problemeve të shkodranit, ndërsa shpresohet të jenë të pakta. Milanezët, ndërkaq, u goditën që në fillim dhe nuk e morën dot veten deri në fund.
Zielinski realizoi që në minutën e dytë, pastaj Marek Hamshik dyfishoi rezultatin në minutën e 5-të, dhe këtu ndeshja u bë “malore” për skuadrën e Stefano Piolit. Interistët reaguan dhe krijuan disa raste, duke përfituar edhe nga gabimet e mbrojtjes napolitane, por nuk mundën të shënonin asnjë herë. Pas pushimit, Interi iu afrua menjëherë golit, por atë e gjeti Napoli. Në minutën e 51-të Insinje kurorëzoi mbrëmjen e madhe të vendasve.
Në minutën e 60-të, Hysaj shfaqi probleme dhe trajneri Sarri nuk e vonoi zëvendësimin me Maxhon, ndërsa të kaltrit krijuan edhe dy raste të tjera, të cilave Interi iu përgjigj po me dy. Me këtë sukses, Napoli u ngjit në kuotën e 28 pikëve, po aq sa Lacio dhe Atalanta, por që kanë një ndeshje më pak.