Montela – medias: Ju spekuloni me mua, Obamejangu apo Morata!

Trajnerit të rosonerëve, duket qartë, se i kanë ardhur në majë të hundës lajmet dhe spekulimet, pa mbaruar ende sezoni aktual, për transferimet e mundshme të lojtarëve. “Milani do të sjellë këtë lojtar të ri, Milani ia ka vënë syrin këtij lojtari, etj.”, thotë ai, duke cituar median italiane që merret përditë me përforcimet e reja eventuale të Milanit, ndërsa përmenden emra nga më të ndryshëm, sidomos, qëkur klubin e morën përsipër pronarët e rinj kinezë. Dhe, kështu, Vinçenco Montela e ka humbur durimin, për shkak të spekulimeve të shumta, duke vendosur që të kundërpërgjigjet.

“Unë e di që ju bëni tuaj, por ju e teproni, kur flisni për transferimet. Mjaft më. Nuk e kam fjalën vetëm për lajmet mbi transferimin e Donarumës. Njerëzit që drejtojnë klubin, më kanë porositur që unë të përqendrohem te fundi i sezonit, duke qenë se më e rëndësishmja është që ne të kualifikohemi për konkurrimet evropiane”, tha Montela në një konferencë me gazetarët, duke u tërhequr vërejtjen gazetarëve se ata merren shumë me spekulime, ndërsa nuk mungojnë që të sajojnë edhe histori. “Ju spekuloni se mua më pëlqen më shumë Obamejangu sesa Morata, Kavani më shumë se Benzema, etj. Ju lutem, ndërpritini këto lloj lajmesh. Në kokat tuaja ekziston vetëm e tanishmja”, vuri në dukje Montela.

Sfidanti.al