Xhenaro Gatuzo është i shpëtuar për momentin dhe tek Milani mendojnë se trajneri duhet të ketë besimin absolut. Ashtu si njeriut të stolit, edhe skuadrës nuk i mungon dëshira për të luftuar, por çdo javë e më shumë kuptohet se do të duhet ende shumë punë për të krijuar një skuadër pretendente. Barazimi 1-1 në fushën e Kaljarit nuk ndihmon për renditjen dhe tregon se të dyja skuadrat e Milanos (Interi, ndoshta pak më shumë), janë larg kohëve të arta.
Padyshim, mungojnë milionat e dikurshme, të paktën për Milanin. Në përbërje nuk ka Barezi, Maldini, Baxho, Nesta, Pirlo, Zedorf, Gatuzo, Shevçenko, Van Basten, Gulit, Rajkard, Boban, Papen apo Saviçeviç. Kjo nuk e lejon ekipin, pavarësisht nga fanela e lavdishme, që të luftojë jo vetëm me Juventusin, por as me Napolin. Gjithsesi, goli i Higuainit dha shpresë, ashtu si renditja, se të paktën Championsi mund të arrihet. Vendi i katërt është vetëm 2 pikë larg, dhe aty ndodhen ekipe si Sasuolo apo Sampdoria, që në fazën e dytë mund të bien.
Sfidanti.al