Milani është i lodhur, por problemi i madh është Ibra!

Stefano Pioli ndoshta nuk e ka parashikuar, apo me gjasë edhe e dinte. Milani i tij po e mbyll në rënie të plotë sezonin në Serinë A, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm, që ishte edhe objektivi kryesor. Ku shkoi skuadra që kryesonte Serinë A, që mundi Interin në derbi dhe që trembi Mançester Junajtidin në Europë? Mediat italiane shkruajnë se lojtarët kuqezinj janë të lodhur, ndoshta për shkak të mungesës së përvojës, dhe sepse Milani nuk ka alternativat e duhura për t’i zëvendësuar. Kështu Teo Hernandez, Leao, Benaser, Çalhanoglu, Tomori, Zelemekers, Rebiç nuk ka vazhdimësi, dhe i vetmi që shpëtoi në fushën e Lacios ishte Donaruma. Gjithsesi, problemi kryesor i ekipit është Zllatan Ibrahimoviç. Pas vitit të shkëlqyer 2020, këta muaj më shumë po dallohet për “bëma” jashtë fushe sesa brenda saj. Sherri me Lukakun, San Remo dhe hetimi për kompaninë e basteve në Suedi.

Sfidanti.al