Drejtori sportiv i klubit “rosoner”, Masimiliano Mirabeli, shpreson se Gatuzo do të qëndrojë trajner i Milanit për një kohë të gjatë, madje edhe 10 vite! Sikurse dihet, legjenda e Milanit zëvendësoi në stolin e drejtimit të këtij ekipi Vinçenco Montelën, dhjetorin e kaluar, ndërsa media italiane vinte në dukje se Gatuzo ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme. Megjithatë, nën drejtimin e tij, Milani ka nisur të arrijë rezultate solide.
“Shpresoj që Gatuzo të qëndrojë te Milani edhe 10 vite të tjera. Ne nuk po kërkojmë zëvendësues për të, pasi kemi vendosur që t’ia besojmë atij stolin e drejtimit, sepse ai është njeriu i duhur. Ndoshta, në sytë e opinionit publik kjo gjë duket si një lloj ‘bixhozi’, por në jemi të sigurtë se kemi bërë zgjedhjen e duhur për Milanin. Kemi besimin se Rino (emri popullori i Gatuzos) do të mund të fillojë, së shpejti, ciklin e fitoreve dhe se ai do të qëndrojë gjatë te neve”, vuri në dukje Mirabeli.