Milan harroje Veronën, lutu që Ibra të jetë gati për derbin!

Trajneri Silvio Pioli u dha lajm të mirë tifozëve duke thënë se “ka shanse shumë të mira që Zllatani të luajë ndaj Interit”. Natyrisht, nuk ishte e lehtë për teknikun kuqezi që të fliste gjëra të bukura pas barazimit zhgënjyes në “San Siro” ndaj Veronës modeste, ndërsa edhe ai vetë e kuptoi mirë se pa Ibrën, Milani nuk është i njëjti. Jo vetëm kaq, por u desh që Romanjoli të tregohej vendimtar në disa momente, që vendasit të shpëtonin edhe nga ndonjë humbje e rëndë. Për Piolin sidoqoftë, “nëse do të kishim qenë pak më të kthjellët në lojën tonë, mund të kishim fituar”. Nuk ke ç’bën, e tillë është situata tani dhe gjithë shpresa mbetet tek një 38-vjeçar, edhe pse flitet për një gjigand si Ibrahimoviç. Championsi nuk është se u largua edhe më shumë, pasi Atalanta barazoi dhe Roma u mund, por vetë Milani nuk duket në rregull. Shpresa e madhe është që të paktën Ibra të mos dëmtohet e të mos humbasë asnjë ndeshje deri në fund.

Sfidanti.al