Federata e Futbollit të Italisë ka planifikuar që të angazhojë ish-mbrojtësin e madh e legjendar të Milanit, Paolo Maldini, si menaxher ekipi në kombëtaren italiane. Këtë lajm e botuan, dje, medime të ndryshëm në Apenine, që saktësojnë se, në këtë detyrë, ai do të zëvendësojë Lele Orialin që, sipas njoftimeve, do të bëhet një nga drejtorët kryesorë të Interit. Maldini nuk ka pasur ndonjë funksion klasik në futboll që nga viti 2009, më saktë, qëkur ai u largua nga fusha, duke mbyllur karrierën e tij super të suksesshme, si futbollist, ndërkohë që, para dy vitesh, ai u bë bashkëpronar i klubit të ri amerikan, Majami, që, së shpejti, pritet që të fillojë të luajë në ligën ameriikane të futbollit.
Federata e mësipërme, tanimë, e ka zgjedhur Maldinin si alternativën më të përshtatshme për pozicionin e menaxherit të ekipit kombëtar italian që do të ketë si detyrë që të sigurojë lidhjen mes pjesëtarëve të përfaqësueses dhe stafit të specialistëve, konkretisht, atyre që drejtojnë ekipin. Tani, pritet vetëm konfirmimi zyrtar i Federatës italiane që ish-ylli madh milanez të fillojë që të kryejë detyrën e re.
Sfidanti.al