Lorenco Insinje, cili do të jetë fati i “Totit” të Napolit?!

Është kapiteni dhe është idhulli i tifozëve, përveçse është djalë i qytetit. Lorenco Insinje përfaqëson shumë për Napolin, është një lloj trashëgimtari i Diego Armando Maradonës, ndërsa niveli i tij në fushë ka qenë shumë i mirë për ekipin e Serisë A, po ashtu edhe për Italinë e Roberto Mançinit. Gjithsesi, ky “idil” i mrekullueshëm mund të marrë fund sepse Insinje është i pakënaqur me klubin. Presidenti De Laurentis ka kërkuar që të ulet rroga e tij prej 5 milionë eurosh në sezon, për shkak të krizës financiare, dhe lojtari këtë nuk e quan të drejtë. Kontrata e tij përfundon në 2022 dhe nuk ka asnjë shenjë bisedimesh, pra trashëgimtari i Maradonës mund të mos e realizojë ëndrrën për ta mbyllur karrierën në Napoli dhe për t’u kthyer në një “Françesko Toti partenopeo”. Insinje mund të pranonte nëse do t’i lejoheshin 100 për qind e të drejtave të imazhit, por Napoli nuk e ka bërë me asnjë lojtar. Nëse largohet, dhe thuhet se Barcelona e pëlqen, kartoni mund të shkonte nga 20 në 30 milionë euro.

Sfidanti.al