Legjenda Toti, mos vallë i vlen Romës më shumë kur je larg?!

Ky njeri nuk ka vënë kurrë paratë apo lavdinë personale përpara ndjenjës së përkatësisë, pra lumturisë absolute i jepte fakti se luante për skuadrën e qytetit të tij. Françesko Toti dhe Roma janë një binom i pandashëm në 30 vjet, diçka që nuk e shkatërroi as interesimi i jashtëzakonshëm i Realit të Madridit shumë kohë më parë.

Gjithsesi, fundi i karrierës së futbollist mund të bëjë që kjo të ndryshojë. Toti si drejtues i Romës është diçka e shkëlqyer, pasi çdo klub dëshiron t’i mbajë legjendat, jo t’i lerë të largohen, por a mund të funksionojë? Lajmet e hapura këto javë për De Rosin, sikur ai paska kërkuar largimin e Totit, si dhe shumë aludime të tjera (të vërteta po jo?), kanë bërë që të “turbullohen” ujërat.

Vetë ish-kapiteni nuk ngurroi të shprehej në Tuiter, publikisht. “Janë thënë e shkruar shumë gjëra për personin tim këto kohë, – shkruajti ai, – duke u përpjekur të ngrenë hipoteza mbi mendimet dhe vendimet e mia. Shpejt do ta mësoni këndvështrimin tim, në vendin e duhur”. Mos do të thotë kjo se Toti dëshiron të largohet, apo thjesht të sqarojë gjërat? Gazetari i “La Gazeta delo Sportit”, Masimo Çekini, informon se ish-kapiteni mund ta pranojë rolin e drejtorit teknik, por vetëm nëse ai do të ketë rol të rëndësishëm, jo thjesht si “spaleta”.

Pakënaqësia e Totit duket për faktin se nuk u këshillua siç duhet (sipas gazetarit) për emërimin e trajnerit Paulo Fonseka dhe të drejtorit sportiv, Xhanluka Petraki. Të shohim nëse klubi ka ndërmend t’ia plotësojë këto kërkesa, pasi ndryshe mund të ndodhë divorci më i madh në historinë e futbollit italian, e ndoshta të atij botëror.

Sfidanti.al