Ku do të shkojë Kai Haverc, “talenti më i madh në Gjermani”?!

E ku tjetër, përveçse atje ku kanë shkuar edhe të tjerët. Edhe në një vend kaq social sa Gjermania, fitimi dhe suksesi është gjë e madhe, ndaj Bajerni mbetet “magneti” më i fuqishëm tërheqës për futbollistët. Për në Mynih, në “Mekën” e topkëmbës gjermane, duket i destinuar edhe ai që cilësohet si talenti më i madh i momentit në këtë vend të madh, Kai Haverc.

Mesfushori i Leverkusenit, ende vetëm 20-vjeçar, shkëlqeu në Bundesligë dhe po jep provat e duhura edhe në kombëtaren e Gjermanisë, ndërsa të martën ndodhi takimi që pritej, mes shefit të “gjahtarëve” të talenteve të Bajernit, Marko Nepe, dhe këshilltarit të lojtarit, Hanes Vincer. Kjo ngjau në Mainc, përpara ndeshjes së Europianit ndaj Estonisë.

Informacioni jepet nga gazeta bavareze “Tagescajtung” (TZ), por gazeta “Bild” hedh dyshime nëse transferimi mund të ndodhë këtë vit, apo në 2020. Sido që të shkojë puna, takimet e Bajernit për Havercin po tregojnë se klubi bavarez dëshiron të mos ketë të papritura dhe herët a vonë ta marrë talentin e Gjermanisë.

Sfidanti.al