Ky Interi nuk shpëton dot nga vërshëllimat as kur fiton

U duk si një anije që po mbytej në një det të stuhishëm dhe që për fat arriti shëndoshë në port. Ky ishte Interi në versionin “anti-Benevento”, që u duk si një mision “anti-Juventus” apo “anti-Napoli”. Kaq mirë luajti skuadra modeste, me Berat Gjimshitin titullar në “San Siro”, dhe kaq keq u paraqit ajo zikaltër me shumë pretendime. Sidomos në pjesën e parë, Interi nuk shihej dot me sy, por për fat kishte në fushë një “lojtar të 12-të”. Ky ishte arbitri Paireto që fali dy herë Galiardinin, ndërsa mbrojtësi mund të kishte dalë me të kuqe që para pushimit.

Gjithsesi, Interi ia doli të fitonte, por nuk shpëtoi dot nga vërshëllimat që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në stadiumin milanez. Benevento bëri zonjën e shtëpisë dhe tifozët nuk duruan dot. Trajneri Luçiano Spaleti mbetet i preokupuar pasi loja e skuadrës së tij nuk po bind. Jo vetëm mungon Ikardi, por Perishiç e Kandreva janë hija e vetvetes, ndërsa Karamoh është tepër i ri për të qenë garanci.

Ironia e fatit ishte se fitorja erdhi nga dy lojtarët që u mallkuan pas humbjes në fushën e Xhenoas. Shkriniar e Ranokia, protagonistë të autogolit të shëmtuar në “Marasi”, këtë herë ishin autorë golash.

Sfidanti.al