Kush vuan më pak nga izolimi? Ronaldo, sepse dashuron palestrën!

Shokët e tij të dikurshëm tek Mançester Junajtidi thoshin për të se nëse do të kishte mundësi, do ta kalonte kohën krejtësisht në palestër. Kristiano Ronaldos i erdhi më në fund dita për ta bërë këtë sa kohë i do zemra. Jemi në epokën e koronavirusit, në izolimin e vështirë mes “katër mureve” (shprehje që nuk vlen për Kristianon), dhe superylli portugez po bën atë që pëlqen shumë, siç e tregon fotoja e postuar në Instagram, bashkë me dy motrat, me një mbesë, dhe dy persona të tjerë të afërt. Poza e tij është ajo e preferuara, gjysmë i zhveshur, me këmbët e hapura, kokën lart pak (si shumë) si kapadai, dhe me muskujt e tendosur. Nëse Majkëll Xhordani kishte si siluetë zhytjen në kosh nga vija e gjuajtjeve të lira, kjo është poza-emblematike e CR7-ës. Gjithsesi, si futbollist profesionist e ndjen mungesën e lojës në fushë, dhe uron që të kthehet sa më shpejt në Torino, diçka që nuk duket se do të realizohet tani afër.

Sfidanti.al