Nuk pati akuza direkte dhe nuk mund të thuhet se u krijua një çështje. Aspak, por një i tillë si Antonio Konte nuk e ka për natyrë të fshehë atë që mendon, dhe e bëri shumë të qartë se ende nuk është i sigurt nëse tek Interi uniteti është ai që duhet apo jo. “Tre muaj më parë thashë disa fjalë dhe nuk ka kaluar shumë kohë, – theksoi ai pas fitores me Sasuolon, – në të mirë dhe në të keqe, duhet të jemi të bashkuar. Lojtarët dhe trajneri mund të jenë një zgjidhje, por jo e gjithë zgjidhja. Kur anija është në stuhi, të gjithë duhet t’i japim lopatave në të njëjtin drejtim, pa i lënë lojtarët dhe trajnerin që të mbyten. Uroj që sot të jemi në të njëjtën barkë”.
Këto fjalë padyshim janë për Bepe Marotën, drejtuesin teknik që Konte e njeh që tek Juventusi, dhe nuk janë për presidentin Çan, që i ka dhënë trajnerit mbështetjen maksimale, edhe pas humbjes së rëndë me Realin në Champions. E pra, si ndryshon futbolli, kalojnë vetëm pak ditë dhe Interi fiton 3-0 në fushën e Sasuolos serioze në Serinë A, ndërsa Madridi humb në shtëpi me Alaveshin! Po kësaj ç’t’i thuash? Të thuash që në futboll nuk mund të flitet para kohe. Zikaltërit janë për momentin në vend të dytë, edhe pas gabimit të Juventusit me Beneventon, që demonstroi sërish se Seria A këtë vit është bërë më e vështirë.
Sfidanti.al