Kareka dhe pakti me Maradonën: Në Napoli kishim 78 000 abonentë!

Ishin kohë të tjera që vështirë se mund të vijnë lehtë në një stadium si “San Paolo”. E kujton fare mirë Kareka, ish-sulmuesi brazilian që luajti për napolitanët në vitet 80-90, duke fituar trofetë e vetëm të rëndësishëm të klubit. Kareka, emri i vërtetë i të cilit është Antonio de Oliveira Filjo, zbulon se në atë kohë e kërkoi edhe Milani i Sakit dhe i Berluskonit, por ai vendosi të vazhdonte në Napoli sepse kishte një pakt me Maradonën. “Në Napoli shkova sepse doja të luaja me Maradonën, – shprehet ai, cituar nga “Il Korriere delo Sporti”, – më kërkoi Milani pas një viti, por unë rinovova kontratën sepse kisha pakt me Diegon”.

Së bashku fituan titullin kampion në 1990, Kupën UEFA në 1989 dhe Superkupën e Italisë në 1990, ndërsa në Brazil, Kareka fitoi dy herë titullin kampion në 1978 e 1986, si dhe dy herë kampionatin Paulista. Duke bërë një krahasim me Napolin e sotëm, ai thotë se treshja e sulmit Maradona-Kareka-Xhordano ishte nga më të fortat e botës, e krahasueshme me treshet e Barcelonës së sotme. “Në “San Paolo” kishim 78 000 të abonuar dhe 8 000 tifozë vinin në çdo ndeshje jashtë fushe”, – thekson Kareka.

Sfidanti.al