“Prangat” nga koronavirusi, asnjë ndeshje sportive ditën e sotme, 31 mars!

Që gjithçka ishte kyçur fort kjo dihej, por gjithsesi, dita e sotme regjistroi kulmin. Nëse shikon faqet e specializuara për ndeshjet sportive, dallon se këtë të martë të 31 marsit nuk është në program asnjë ndeshje zyrtare, në asnjë kategori, për asnjë moshë dhe për asnjë gjini. Vetëm tri ndeshje miqësore spikasin, diku në Azi, dhe s’ka tjetër.

Një ditë më parë u luajt në Nikaragua, ndërsa nesër, në 1 prill, parashikohen plot 27 sfida të ndryshme, përgjithësisht të kategorive më të ulëta në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Marok, Nikaragua, Afrikë të Jugut apo Brazil.

Ligat kryesore të kontinentit europian dihet që janë të bllokuara. La Liga në Spanjë është ndërprerë prej javësh dhe shpreson të nisë në maj ose në qershor. Premier Liga angleze bën plan pas plani, por ende askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë do të ndodhë. Po kështu, epidemia e koronavirusit ka bllokuar Italinë, pra edhe Serinë A, bashkë me ligat më të ulëta. Bundesliga, edhe pse provoi të luante pa spektatorë, e ndali shpejt atë eksperiment, dhe stadiumet janë të mbyllur, në pritje të zhvillimeve të reja, edhe pse ka skuadra që kanë dalë në stërvitje.

Edhe sportet e tjerë e kanë të pamundur të zhvillohen. NBA-ja u ndërpre madje ndërsa ishte gati për të nisur ndeshja mes Jutah Xhazit dhe Oklahomës, sapo u konfirmua një basketbollist pozitiv me koronavirus. E njëjta gjë vlen për basketbollin në Europë.

Turne të ndryshëm tenisi janë shtyrë apo do të shtyhen, dhe Lojrat Olimpike po ashtu zyrtarisht u shtynë me një vit. Liga Amerikane e Bejsbollit vendosi ta shtynte datën e fillimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të goditura tepër rëndë nga virusi këto ditë. Edhe volejbolli është ndalur, dhe për kënaqësinë e tifozëve thjesht po transmetohen sërish ndeshjet e sezoneve të kaluar.

Sfidanti.al