Do të duhet miratimi i qeverisë, si dhe i autoriteteve shëndetësore në Britaninë e Madhe, por drejtuesit e futbollit në Angli e përpiluan planin e tyre. Premier Liga, sipas tyre, duhet të zhvillohet, të luhet e të përfundojë, sidomos për të shmangur problemet e mëdha financiare që arrijnë në 762 milionë paundë stërlina, dhe që janë të lidhura me të drejtat televizive.
Plani i drejtuesve të Premier Ligës, diskutuar me 20 klubet, është që kampionati të rifillojë në nisje të muajit maj, dhe të përfundojë deri në 12 korrik. Kjo, sepse sipas kontratës me televizionet me pagesë, sezoni duhet të përfundojë deri në 16 korrik, ndryshe mund të kërkohen dëmshpërblime të mëdha. Gjithsesi, nuk dihet sesa e mundshme është që të realizohet ky plan, duke u nisur nga fjalët e zv. shefit të autoritetit mjekësor britanik, Xheni Harris, që u shpreh se “izolimi në vend mund të zgjasë deri në 6 muaj, ndonëse në shkallë të ndryshme”.
Sfidanti.al