Sot është 71 vjeç dhe nuk duket se ka ndonjë interes të madh që të vazhdojë të jetë trajner futbolli, por opinionet lidhur me profesionin e tij mund t’i japë fare mirë. Otmar Hicfeld, njeriu që fitoi Bundesligën dhe Championsin me Dortmundin e me Bajernin, mund të quhet padyshim i kualifikuar për të gjykuar për trajningun dhe ai e bën këtë, duke komentuar rastin “Niko Kovaç” tek Bajerni.
“Ndihem shumë i mërzitur që Nikos iu dha kaq pak kohë në dispozicion dhe kaq pak besim tek Bajerni, – ishin fjalët e tij, për “Abend Cajtungun” e Mynihut, – natyrisht, unë jam tepër larg për të ditur detajet, por mund të them se ai i ka cilësitë teknike dhe të karakterit për të udhëhequr një skuadër të madhe. Do të kem dëshirë që Niko të punojë sërish në një klub të madh”. Ai thekson se kroati ishte i tillë që kur ishte futbollist, dhe Hicfeldi e kishte në skuadër. “Që në atë kohë ishte një lider, kishte personalitet në fushë dhe merrte përgjegjësi”. Vetë Kovaç ka thënë në shkurt se është gati të kthehet në profesion, ndoshta mund të shkojë tek Herta e Berlinit.
Sfidanti.al