Për momentin, gjithçka u bë me huazim pasi as “Zonja e Vjetër” nuk e ka të lehtë të gjejë para për të paguar. Federiko Kieza do të jetë lojtar i Juventusit i dhënë hua nga Fiorentina për dy vjet, kundrejt një pagese prej 10 milionë eurosh, dhe me të drejtën për të blerë kartonin për 40 milionë euro, plus 10 milionë euro të tjerë shpërblime të ndryshme. Në total, bëhen 60 milionë euro, jo gjë e vogël, por gjithsesi flasim për një sulmues ende të ri, italian, dhe që besohet të ketë një të ardhme shumë të mirë. Juventusi mori këtë sezon edhe Dejan Kulushevskin nga Atalanta (35+9 milionë euro) si dhe Alvaro Moratën nga Atletiko me dy vjet huazim për 20 milionë euro. Gjithsesi, Juvja pati probleme për largimin e lojtarëve, pasi Rugani, De Shilio e Dagllas Kosta u larguan thjesht në huazim pa sjellë asnjë të ardhur.
Sfidanti.al