Inter, kalon kalvari i testimeve, Konte nis sot stërvitjen!

Plani është bërë dhe lojtarët janë ndarë me grupe nga 6 apo 8 futbollistë. E tillë, seanca e parë stërvitore e Interit, sot në orën 14:00 në “Apiano Xhentile”, me trajnerin Antonio Konte që pati mundësi, më në fund, që të takohej me lojtarët e tij pas 58 ditësh ndërprerjeje. Një mënyrë për të nisur punën e lënë përgjysmë, një mënyrë për të bërë të harrohet vështirësia e fillimit të vitit 2020, e sidomos me humbjen 0-2 në fushën e Juventusit, në ndeshjen e Serisë A luajtur pa spektatorë. E gjithë skuadra në fushë, bashkë me Aleksis Sançezin që përfundoi “karantinën”. Gjithsesi, stafi që punoi me lojtarët ishte i përbërë nga një mjek, një fizioterapist, një përgatitës atletik, si dhe një ose dy pjesëtarë të tjerë që do të punojnë me rotacion. Problemi më i madh për Interin ishte kryerja e testeve, pasi nuk ishte e lehtë të gjendeshin tamponët. Në Lombardi nuk lejohet të bëhen në mënyrë private, dhe u desh shumë mund për t’i siguruar.

Sfidanti.al