Gjithçka sillet rrotull parave dhe në Francë duan të shpenzojnë më pak. Bisedimet e Paris SG me Interin janë në krizë pikërisht për shkak të kartonit të Mauro Ikardit, sulmuesit të huazuar këtë sezon në Ligën e Parë, dhe që duhet të kushtojë 70 milionë euro. Drejtori sportiv i parizienëve, Leonardo, i ka thënë Bepe Marotës se çmimi është tepër i lartë, sidomos për këtë kohë koronavirusi, aq më tepër që sulmuesi argjentinas shpesh ka qenë në stol, gjatë gjysmës së dytë të edicionit.
Interi, ndërkaq, po përpiqet të shohë edhe alternativa të tjera për Ikardin, ndërsa për momentin i thotë PSG-së, se çmimi nuk ndryshon. Mediat angleze shkruajnë se ka pasur një kontakt me Arsenalin, veçse kjo besohet se është mënyra për të arritur tek Pjer-Emerik Obamejangu. Sulmuesi nga Afrika, një nga më të mirët e Premier Ligës, ka edhe 12 muaj kontratë në Londër, dhe Interi sheh një shans për ta marrë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë, dhe se çfarë do të bëjë Ikardi, ndërsa një rol jo të vogël do ta ketë edhe gruaja e agjentja e tij, Uanda Nara.
Sfidanti.al