Mes tyre ka një diferencë prej 4 vjetësh, aq ishte koha nga përfundimi i karrierës së kampionit më të vjetër, dhe fillimit të asaj të kampionit më të ri. Muhamed Aliu i kishte hequr dorezat, kur Majk Tajsoni i veshi si profesionist, për t’i “përngjarë” si dy herë kampion absolut i botës. Pyetja gjithnjë, që nga ajo kohë, ka qenë: Si do të kishte përfunduar një duel mes tyre?
Në një farë mënyre, përgjigjen e jep kampioni tjetër i madh, bashkëmoshatar i Aliut, Xhorxh Foreman. “E pyeta Aliun, nëse mendonte se Tajsoni mund të mundte këdo, – tha Foremani, – ai m’u përgjigj se Tajsoni grushtonte shumë fort. Ai mendonte se Tajsoni kishte grusht më të fortë se kushdo me të cilin ai ishte ndeshur, dhe një herë më tha se nuk kishte besim të plotë nëse do ta kishte mundur nëse do të ishte ndeshur me të”. Natyrisht, këto mbeten “në qoftë se”, përderisa dy kohët nuk mund të sillen krah për krah, por kjo që zbulon Foremani e ngre edhe më shumë vlerën e Tajsonit. Të dy këta boksierë, Tajsoni dhe Foremani, vlerësohen si grushtet më të fortë në historinë e boksit.
Sfidanti.al