Gatuzo: “Më mirë të më kishin goditur me thikë sesa të më shënoi gol portieri!”

Xhenaro Gatuzo, trajneri i porsacaktuar i Milanit, në vend të Vinçenco Montelës, përjetoi një shok të vërtetë në ndeshjen e tij të parë, si trajner, pasi nuk arriti që ta mposhtte Beneventon e vendit të fundit në Serinë A, ndërsa kryesonte deri në minutën e fundit të ndeshjes, kur pësoi golin e barazimit 2-2. Por, jo vetëm kaq, golin fatkeq Milanit ia shënoi në min. e 95-të askush tjetër, por portieri i Beneventos, Alberto Brinjoli që, si një golashënues i thekur, shënoi me kokë në portën e Donarumës.

“Më mirë të më kishin goditur me thikë, pasi një gjë e tillë do të më dhimbte më pak! Ne luftuam deri në fund dhe i lejuam vetes që të shkaktonim një faull naiv, nga i cili përfituan lojtarët e Beneventos që u sulën në 16-tshën tonë. Dhe golin neve na e shënoi portieri!

Nuk mund ta imagjinoni atmosferën në dhomën tonë të zhveshjes mbas ndeshjes. Ne u treguam më të dobët në fund dhe luajtëm me një lojtar më pak, mbas përjashtimit të Romanjolit; ky nuk është Milani që unë mendoj”, deklaroi Gatuzo mjaft i zhgënjyer mbas ndeshjes.

Sfidanti.al