Mund ta cilësojmë garë katërshe. E tillë kjo për titull në Serinë A, ku Milani vazhdon të kryesojë, ndërsa Juventusi të afrohet. Lombardët fituan me vështirësi, por me meritë 1-0 ndaj Empolit në “San Siro” duke arritur në kuotën e 63 pikëve, 5 më shumë se Interi që luan në mbrëmje. Goli i vetëm u shënua nga Kalulu në pjesën e parë, ndërsa mesfushori i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, u tregua i rrezikshëm nga goditjet standarde, por paraqitje më të mirë bëri lojtari tjetër i kombëtares, Kristijan Asllani.
“Pjesa e parë ishte sigurisht e një niveli shumë të mirë, – tha trajneri i Milanit, Pioli, – Pas pushimit mendoj se na mungoi dëshira për të vazhduar me të njëjtin nivel. Kjo kushton ndaj një kundërshtari të shpejtë, vrapues dhe teknik si Empoli. Gjithsesi, jam shumë i kënaqur për mënyrën sesi u mbrojt skuadra. Vetëm kështu mund ta synojmë titullin”.
“Fluturim i Milanit, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – shkëputje në tabelë, kalohet Empoli. Pioli fshihet: Titulli? Flasim një herë tjetër!” “Il Korriere delo Sporti” ia dedikon kopertinën tjetër ekipi: “Frymëmarrja e Juves, dy gola Morata, 15 rezultate pozitive radhazi, Maksi të shtie frikën” Me të vërtetë, Juventusi është afruar me kreun, ndonësëe pritet Interi. Suksesi 3-1 në fushën e Sampdorias u arrit pavarësisht mungesave të shumta, dhe lënies fillimisht në stol të Vlahoviçit, dhe kjo tregoi se ish-kampionët kanë hyrë në ritmin e tyre dhe mund të pretendojnë titullin.
Gjithsesi trajneri Alegri mbetet i ftohtë. “Nuk ndryshon asgjë pas kësaj fitoreje, – tha Alegri, – vazhdojmë të jemi larg. Interi ka dy ndeshje më pak, Napoli një ndeshje më pak, Milani fitoi. Duhet të mendojmë për sfidën e së mërkurës në Champions që do të jetë e vështirë. Skuadra luajti shumë mirë, dhe Morata tregoi se është një lojtar i jashtëzakonshëm”.
Gjithsesi, në garën për titull është padyshim edhe Interi. Kampionët luajnë në 20:45 në fushën e Torinos, dhe trajneri Inzagi nuk do të ketë qendërmbrojtësin De Vraj dhe mesfushorin Brozoviç të dëmtuar. Zikaltërit shpresojnë të vazhdojnë me fitoret pas atyre ndaj Saleritanës në Serinë A dhe në Liverpul në Champions.
Sfidanti.al