Juventusi lë pas zhgënjimin e humbjes me Fiorentinën dhe rigjen buzëqeshjen duke mposhtur Lacion në kryendeshjen e javës së 21-të të Serisë A.
Në “Juventus Stadium”, skuadra e Masimiliano Alegrit triumfoi 2-0 falë golave të argjentinasve Paulo Dibala dhe Gonzalo Higuain.
Të parit i mjaftuan vetëm pesë minuta për të zhbllokuar ndeshjen me një supergol, ndërsa ish-bomberi i Napolit e bëri të sigurt suksesin e “Zonjës së Vjetër” në të 17-n.
Miqtë nga kryeqyteti nuk mundën të shfaqeshin asnjëherë të rrezikshëm në portën e Juves, që e kontrolloi lojën nga sekonda e parë deri në të fundit.
Suksesi i 27-të radhazi brenda fushe në kampionat e ngjit ekipin bardhezi në kuotën e 48 pikëve, me një ndeshje më tepër në dispozicion. Juve është +4 nga Napoli që mbrëmë mundi Milanin e po kaq nga Roma që do të presë Kaljarin në darkë.