Lindsi Uon kërkon përsëri që të garojë me meshkujt

Skiatorja amerikane, Lindsi Uon, që konsiderohet si një nga sportistet më të mira në botë në sportin e skive alpine, pavarësisht se ka pësuar disa dëmtime kohët e fundit, edhe gjatë këtij sezoni, do të përpiqet që të fitojë ndonjë trofe tjetër dhe ta rrisë numrin e përgjithshëm të fitoreve në Kupën e Botës. Në të njëjtën kohë, skiatorja amerikane e mësipërme nuk heq dorë nga ideja që ajo ka propozuar dhe ka sfiduar kolegët e saj meshkuj që të konkurrojë bashkë me ata në garën e saj më të dashur të zbritjes së shpejtë dhe, ka mundësi, që një garë e tillë e pazakontë të zhvillohet në garat e Lejk Luisit, më 2018.

“Unë kam kohë që stëvitem me meshkuj dhe jam shumë e lumtur që më jepet kjo mundësi. Këto stërvitje më bëjnë një skiatore me të mirë dhe unë, gjithnjë, bëj ski më mirë, kur bëj stërvitje të tilla”, thotë Uoni që, deri tani, më saktë, në vitin 2012, nuk u lejua që të merrte pjesë në një garë meshkujsh nga federata botërore e skive, FIS. “Unë e di se nuk do të fitoj dot, por, të paktën, të më jepet mundësia që të përpiqem ta bëj këtë. Mendoj se kam arritur numrimin e mjaftueshëm të fitoreve (76) në Kupën e Botës që të respektohem më shumë dhe të më jepet shansi që unë kërkoj”,  vë në dukje skiatorja amerikane, Lindsi Uon, që kështu po kërkon shansin e dytë që të konkurrojë me pjesëtarët e gjinisë më të fortë, në të ardhmen.

Sfidanti.al