Etrit Berisha ka “dorën” e tij në fitoren e radhës të Atalantës

Për momentin ekipi i tij është në vendin e tetë, por shumë afër të 6-it. Atalanta po bën një kampionat shumë të mirë, sërish, edhe pse në Serinë A po shkëlqejnë gjigandët si Interi, Napoli, Juventusi, Roma apo Lacio (vetëm Milani nuk po bind). Në fitoren e radhës, 2-1 në fushën e Xhenoas, një meritë të madhe pati edhe portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha që bëri të paktën dy pritje të mëdha ndaj Goran Pandevit.

Andrea Bertolaçi kaloi në epërsi vendasit, por Josip Iliçiç dhe Andrea Mazielo përmbysën rezultatin për bergamaskët e trajnerit Gasperini, që mrekullitë që po bën në Europë, po përpiqet t’i “replikojë” edhe në Itali. Gjithsesi, suksesi në stadiumin “Marasi” të Gjenovës ishte i veçantë, pasi ishte i pari jashtë fushe për Atalantën pas 203 ditëve.

Sfidanti.al