Kush mund ta besonte? Interi shpëton për fije nga Pordenone!

Kupa e Italisë mund të kishte shkaktuar një të papritur të madhe, të denjë për t’u krahasuar me kupat në Angli apo Gjermani. Kjo, gjithsesi, nuk ndodhi, por mbrëmja e 12 dhjetorit 2017 do të jetë në histori. Interi i madh, kryesuesi i Serisë A, thuajse u eleminua nga Pordenone e kategorisë së tretë, madje brenda në “San Siro”.

Ishte një duel ku trajneri interist Spaleti kishte hedhur mjaft lojtarë të rinj, por ku askush nuk e kishte pritur që gjithçka të shkonte tek penalltitë. Edhe pse Spaleti u detyrua të aktivizonte Ikardin (që goditi shtyllën në shtesë), sërish kjo nuk bëri “derman”, me ndeshjen që u mbyll 0-0, ndërsa penalltitë ishin një dramë e vërtetë. Nga 14 që u gjuajtën plot 5 u humbën, ndërsa përfundimisht Interi u kualifikua me shifrat 5-4. Zikaltërit shkojnë në çerekfinale ku pritet të kenë një derbi me Milanin, me kuqezinjtë që presin Veronën.

Sfidanti.al